Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

ASCL uron 109-vjetorin e pavarsisë: Le të vazhdojmë në rrugën e tyre dhe të mos humbim asnjë ditë për çështjen tonë kombëtare

Të nderuar bashkatdhetarë, motra e vëllezër shqiptarë mbarë botës.

Me rastin e 28 nëntorit, festës sonë kombëtare shqiptare, Albanian Swiss Civic League, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Zvicerane, ju uron të gjithëve gëzuar dhe një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë të çështjes sonë kombëtare.

Qoftë puna e shqiptarëve të mëdhenj, që nga Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali deri tek Joseph DioGuardi, një frymëzim për të gjithë ne që të ndihmojmë me sa mundemi për zgjidhjen e saj.

Gjendja e vëllezërve dhe motrave tona në luginën e Preshevës ku nuk kanë asnjë të drejtë si shqiptarë, që nga ajo elementare e gjuhës dhe shkollimit shqip, tek manifestimi i flamurit dhe kjo mbarë në Serbi, pa përmendur praktikën mesjetare të pasivizimit të adresave të tyre aty me qëllim final zhdukjen e komunitetit shqiptar të njohur dhe aneksimin e pronave të tyre.

Zgjidhja e dialogut Kosovë Serbi dhe njohja e Kosovës nga 5 vende të EU që akoma nuk e kanë bërë këtë hap është një çështje madhore për tu zgjidhur akoma.

Gjendja e shqiptarëve në Greqi ku kemi mbi 1 milion bashkatdhetarë nuk është më e mirë. Të detyruar të ndërrojnë fe dhe emra, në një vend të EU, shqiptarët nuk gëzojnë asnjë nga të drejtat elementare të përmendura më sipër që janë në bazën e të drejtave mbi të cilat është ngritur ky komunitet. Çështja Çame është akoma tabu në këtë shtet që si të gjithë fqinjët tanë pushtues, mohon genocidin ndaj shqiptarëve.

Në Maqedoninë e veriut ku sllavët e quajnë veten maqedonas (absurditet historik ky) po shohim progres të vogël por shumë të ngadaltë në respektimin e të drejtave të grupit etnik më të madh, shtet formues dhe të vetmit autokton që janë shqiptarët.

Në Malin e Zi pak a shumë gjendja është e njëjtë si në Maqedoninë e veriut.

Ndikimi masiv rus dhe kinez në gadishullin tonë ilirik, nuk e ndihmon përmirësimin e gjendjes.

Turqia me numrin më të madh të komunitetit shqiptar për një shtet në botë, 6 milionë, është komplet larg njohjes së të drejtave dhe lirive për një grup etnik kaq të madh.

Puna jonë shkon në këtë drejtim për të ndihmuar zgjidhjen e këtyre nyjeve.

Ka ama edhe lajme të mira.

Shembull qytetërimi në Evropë mbetet Italia që jo vetëm njeh dhe respekton pakicën shqiptare arbëreshe, por promovon kulturën e saj si vlerë kombëtare.

Diaspora evropiane (Gjermani, Austri, Francë, Angli, Skandinavi) ka hapur gjithashtu dyert për ne dhe na mbështetur edhe pse ka akoma paragjykime kundër të cilave duhet të punojmë fort vetë.

Zvicra duke hapur dyert e saj për shqiptarët që po i iknin genocidid serb në 1998–9, ka qenë dora e Zotit për komunitetin shqiptar këtu që ka të njohur çdo të drejtë dhe ka një shkallë integrimi maksimale në të gjitha fushat, nga arti dhe sporti, në ekonomi dhe përfaqësim politik.

Diaspora Amerikane pastaj ka qenë ajo më e forta dhe mbështetëse në ndihmë të çështjes sonë kombëtare.

Shembull i ndritur këtu janë

Joseph dhe Shirley DioGuardi që me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civic League) në 30 vjetët e fundit, që nga përballja me diktatorin e fundit gjakatar shqiptar Alia, deri tek pavarësimi i Kosovës, tek mbështetja që i kanë garantuar botës shqiptare nga politika amerikane në nivelet më të larta, kanë bërë atë që qeveritë shqiptare në dy shekujt e fundit vetëm kanë ëndërruar.

Le të vazhdojmë në rrugën e tyre dhe të mos humbim asnjë ditë për çështjen tonë kombëtare.

Gëzuar 28 nëntorin!

Zoti bekoftë Shqiptarët kudo që janë dhe Shqipërinë që është kudo ata ndodhen.